Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, në një konferencë për media pas votimit të Qeverisë Kurti 2, tha se nesër do t’ia dorëzojë detyrën Albin Kurtit.
Hoti tha se Kurtit i ka përgatitur një dosje me informacione për punët që janë në proces.
“Nesër do t’ia dorëzoj detyrën kryeministrit të ri sipas protokollit i kam dorëzuar dosjen për punët në proces dhe janë disa procese të rëndësisë nacionale që kanë karakter historik dhe duhet të kryhen. Do t’ia dorëzoj informatat e plota për të gjitha gjërat, si ka shkuar procesit i dialogut, dakordimet me miqtë tanë, marrëveshjen e Uashingtonit”, tha ai.
Hoti u shpreh i bindur se ka udhëhequr Qeverinë gjatë mandatit të tij në mënyrën më të mirë të mundur, derisa shtoi se LDK-ja nuk do të gjuajë gaz lotsjellës në Kuvend dhe do të luajnë rolin e opozitës demokratike.
“Nuk do të gjuajmë gaz lotsjellës në Kuvend dhe do të jemi opozitë konstruktive dhe do të përdorim mjetet kushtetuese dhe demokratike”, tha më tej ai.
Sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Qeveria e tij u zgjodhën nga Kuvendi me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.
Qeveria Kurti 2 do t’i ketë 15 ministri, nga ta 8 anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas kabinetit të prezantuar nga Albin Kurti, 5 ministri do të drejtohen nga gratë.