Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë dhe Ambasada e SHBA në Tiranë u bëjnë thirrje deputetëve të Kuvendit që të votojnë ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjatjen e afateve të institucioneve të vetingut në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Në një deklaratë të përbashkët të dy ambasadave, thuhet se votimi për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE.

Ndryshimet kushtetuese për organet e vetingut janë parashikuar për t’u votuar të enjten në Parlament.

E me këtë rast, SHBA dhe BE u bëjnë thirrje deputetëve që t’i votojnë duke u shprehur se vetingu nuk është një çështje partiake, por në interes të Shqipërisë.

Deklarata e përbashkët e Delegacionit të BE dhe ambasadës së SHBA në Tiranë:

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformat e anëtarësimit në BE. Ndër hapat më të vështirë, por thelbësore, ka qenë miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Jemi në një moment të rëndësishëm pasi reforma në drejtësi po jep rezultate. Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element themelor i reformës në drejtësi. Për t’u mundësuar institucioneve të vetingut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i Kushtetutës për ta zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar. Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike. Zgjatja e propozuar e vetingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët – pavarësisht nga përkatësia partiake – ta shohin këtë si një çështje te interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”.

Share: