Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

“Keqardhje për vendimin, bëni publike faktet”

Në përgjigjen e tij për vendimin për të ndaluar hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish-Kryeministri Sali Berisha iu drejtua direkt Sekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Antoni Blinken. Reagimi nis me mohimin për akuzat për korrupsioni.

“Zoti Sekretar! Nga mediat u njoha me vendimin tuaj të shpallur në Twitter për të ndaluar hyrjen time në SHBA. Lidhur me këtë vendim dua të shpreh sa vijon. Gjatë 30 viteve në politike nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresë time, nga asnjë person, asnjë institucion vendas apo i huaj për abuzim të fondeve publike dhe çfarëdo lloj tjetër korrupsioni.

Shtoj gjithashtu se gjatë të gjitha viteve të mia në pushtet, por dhe deri më sot, familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit. Ata deri më sot nuk kanë qenë kurrë nën akuzë nga drejtësia shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër”.

Pas këtij mohimi, Berisha fton sekretarin e shtetit të bëjë publike çdo fakt dhe dokument për të argumentuar pretendimet për korrupsion.

“Duke shprehur keqardhje për vendimin dhe duke e konsideruar atë pa asnjë bazë konkrete, ju ftoj të bëni publike çdo fakt e dokument që administrata e juaj, apo kushdo në botë, mund të disponojë për të argumentuar pretendimin tuaj për mua dhe familjarët e mi”.

Po ashtu, në reagimin e tij, ish-Kryeministri kujton edhe arritjet e qeverisë që ka drejtuar si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, liberalizimi i vizave me BE dhe luftën e suksesshme kundër korrupsionit.

Në përgjigjen e tij, Berisha veçon edhe denoncimet për Xhorxh Sorosin, multimiliarderin të cilin e përmend dy herë në statusin e tij në Facebook.

“Kam denoncuar i pari dhe me forcën më të madhe, publikisht dhe vetëm publikisht, projektin e ndryshimit të kufijve të Kosovës, i përgatitur nga fondacioni i George Sorosit në Beograd, për çka dhe jam kërcënuar për pasoja, por natyrisht nuk jam impresionuar”.

Reagimin e tij, Berisha e mbyll duke shprehur garancinë se pavarësisht vendimit të Departamentit të Shtetit, ai ndjehet krenar për qëndrimet që ka marrë.

Share: