Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Pas Gjermanisë, udhëton në Bullgari

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani po zhvillon një vizitë zyrtare në Berlin, për të riafirmuar pozicionin gjerman në lidhje me dosjen evropiane të vendit dhe mbështetjen në lidhje me nevojën urgjente për zhbllokim të procesit eurointegrues.

Gjatë takimeve të realizuara në Berlin, ministri i Jashtëm Bujar Osmani ka theksuar edhe njëherë rëndësinë e zhbllokimit të procesit eurointegrues për Ballkanin Perëndimor, por edhe për vetë Bashkimin Evropian.

Në takimin me këshilltar për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të Kancelarit gjerman, Scholz, Jens Pletner, Osmani ka thënë se me hapjen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, BE-ja do të demonstrojë rolin e saj si një lojtar gjeostrategjik dhe do të riafirmojë zgjerimin si një mjet i dobishëm i politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë.

“Me Kryetarin e Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestagun gjerman, Anton Hofreiter, biseduam për nevojën urgjente për zhbllokim të proceseve eurointegruese në rajon si një investim gjeostrategjik i BE-së në emër të një rajoni të sigurt, stabil dhe prosperues në zemër të Evropës”.

Ndërkohë, pas vizitës në Berlin, Osmani do të udhëtojë drejt Sofjes. Deri më tani nuk është bërë e ditur agjenda e saktë dhe takimet që do të realizohen, por meret vesh se pas takimit në Sofje me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelji, së bashku do të udhëtojnë në Shkup.   

Kujtojmë se, Kryeministri bullgar Kirill Petkov para disa ditëve deklaroi se, Bullgaria duhet të zhvendosë veton për eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut dhe jo të heqë atë. Sipas tij, kërkesat bullgare duhet të jenë të përfshira në negociatat për anëtarësimin e vendit me BE-në dhe Europa të garantojë se do të përmbushen.

Nga ana tjetër, ministri Osmani duke komentuar këto deklarata të Kryeministrit bullgar gjatë një emisioni në Tv Telma, tha se zgjidhja më e mirë për zhbllokim të eurointegrimeve të vendit mbetet propozimi portugez si kornizë bazë. 

Share: