Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Pas një sezoni në huazim te Bayerni i Mynihut, ku gjeti shumë pak hapësira dhe luajti vetëm 120 ndeshje, shumicën e të cilave duke ardhur nga pankina, sulmuesi brazilian Douglas Costa do të rikthehet të luajë në atdheun e tij.

Klubi bavarez njoftoi Juventusin se nuk ka ndërmend të mbajë akoma në skuadër 30-vjeçarin dhe bardhezinjtë tashmë kanë arritur një marrëveshje me Gremion, ku Douglas Costa do të qëndrojë në huazim për gjithë sezonin e ardhshëm.

Futbollisti e ka nisur karrierën pikërisht te Gremio, prej ku u transferua në Europë, fillimisht te ukrainasit e Shakhtar Donetsk e më pas te gjermanët e Bayernit të Mynihut, ku qëndroi në periudhën 2015-2018. Më pas Douglas Costa u transferua te Juventusi për shifrën e 40 milionë eurove plus bonuset dhe qëndroi tre sezone në Torino, por dëmtimet e shpeshta bënë që për asnjë moment të mos merrte një rol të rëndësishëm me fanellën bardhezi.

Verën e kaluar u rikthye sërish te Bayerni i Mynihut me shpresën e një rilindjeje të mundshme, por edhe në “Allianz Arena” nuk ia doli të marrë një fanellë titullari dhe tani bashkë me klubin e Juventusit, kanë vendosur rikthimin te Gremio. Synimi i futbollistit është që të luajë rregullisht për të marrë një ftesë për Kupën e Botës Katar 2022 nga kombëtarja e Brazilit dhe Gremio është e vetmja skuadër që i garanton një vend në formacion në këto momente.

Share: