◾Presidenti Volodymyr Zelensky thotë se Ukraina u ka shkaktuar goditje të fuqishme dhe humbje të mëdha rusëve.
◾Zyrtarët ukrainas thonë se ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu ka pësuar një atak në zemër.
◾Ushtria ruse: Faza e parë e fushatës së saj ushtarake në Ukrainë ka përfunduar dhe tani do të fokusohet në rajonin lindor të Donbasit.
◾Zyrtarët perëndimorë besojnë se njoftimi nënkupton se Moska e di se strategjia e saj e paraluftës ka dështuar.
◾Një zyrtar në portin jugor të rrethuar të Mariupolit thotë se rreth 300 njerëz vdiqën në sulmin e javës së kaluar në një teatër.
Pushtimi i Rusisë në Ukrainë ka vrarë 136 fëmijë deri më tani

Sipas prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës, të paktën 136 fëmijë kanë mbetur të vrarë që nga pushtimi rus i nisur një muaj më parë.
Ky lajm është bërë me dije nga një postim në aplikacionin Telegram, duke shtuar se numri i fëmijëve të plagosur ka shkuar në 199.
Prokurori shtoi se 64 fëmijë janë vrarë në rajonin e Kievit, ndërsa 50 fëmijë të tjerë kanë vdekur në rajonin e Donetsk.
Zelensky: Mbi 16 000 trupa ruse janë vrarë në konflikt

Në fjalimin e tij me video gjatë natës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se rezistenca e trupave të tij i kishte dhënë Rusisë “goditje të fuqishme”.
Ai bëri thirrje që Moska të negociojë përfundimin e luftës, por paralajmëroi se nuk do të heqë dorë nga territori sovran.
“Mbrojtësit tanë po e çojnë udhëheqjen ruse drejt një ideje të thjeshtë dhe logjike: ne duhet të flasim, të flasim me kuptim, urgjentisht dhe me drejtësi”, tha ai.
Zelensky pretendon se më shumë se 16,000 trupa ruse ishin vrarë tani në konflikt.