Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë vdekur tragjikisht në aksident trafiku në Kroaci, raporton RTV Albania.

Nga presidenca përmes një njoftimi për media kanë thënë se për shkak të kësaj ngjarje tragjike, Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë.

Nga aksidenti i shkaktuar në orët e hershme të ditës së sotme kanë vdekur 10 persona, ndërsa 45 të tjerë janë lënduar, 8 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Autobusi me targa nga Kosova ishte nisur nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë mirëpo është aksidentuar në Kroaci.

Kryeministri Albin Kurti, tashmë është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.   

Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.

Ndërsa, shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut dhe Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh kanë qenë sot në vendin e ngjarjes tragjike.

Pasi e vizitoi spitalin në Slavonski Brod, ku 45 të lënduar kërkuan ndihmë, Vili Berosh iu drejtua publikut, duke treguar se 15 persona janë lënduar rëndë, në mesin e të cilëve një vajzë e mitur, raporton Index.hr.

Drejtori i spitalit rajonal, Dr. Josip Samarxhiq tha se 45 persona ishin pranuar në spital që nga mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas këtij aksidenti të rëndë në autostradë afër Slavonski Brod, dhe se tetë prej tyre u lënduan rëndë.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.

Share: