Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Stanishiç dhe Simatoviç drejtonin “Beretat e Kuqe” dhe “Tigrat e Arkanit”

Me nga 12 vjet burgim i dënoi Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë dy ish-shefat e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, të akuzuar për udhëheqjen e grupeve paraushtarake gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.

Të dënuarit janë Jovica Stanishiç, 70 vjeç, ish-shef i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë dhe zëvendësi i tij, Franko Simatoviç, 71 vjeç. Për ta prokuroria kishte kërkuar dënim të përjetshëm, ndërsa mbrojtja, lirimin e tyre.

Grupet paraushtarake, të udhëhequra nga Stanishiçi dhe Simatoviçi, përfshinin njësitë elitare, të quajtura Beretat e Kuqe dhe Tigrat e Arkanit. Të dyja njësitë dyshohet se kanë vrarë qindra vetë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Gjykata në Hagë i liroi Stanishiçin dhe Simatoviçin nga akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në vitin 2013. Por, pas protestave dhe apelit të prokurorëve, gjykatësit urdhëruan rigjykim të çështjes në vitin 2015. Procesi i rigjykimit nisi në vitin 2017.

Të dy të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, të tilla si: përndjekjet, vrasjet, dëbimet dhe transferimet me forcë.

Të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-Presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, i cili ka zhvilluar luftëra në Slloveni, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Millosheviçi është gjykuar po ashtu në Hagë, por vdiq përpara se gjykata të shpallte vendimin në vitin 2006.

Share: