Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Kamioni i ngarkuar me hekur udhëtonte drejt Italisë

Ky është kamioni që udhëtonte drejt Napolit të Italisë dhe që do të kalonte tranzit nga Porti i Durrësit me rreth 300 kilogramë kokainë të fshehura në serbator.

Mjeti ishte i ngarkuar me hekur nga një kompani e huaj dhe sipas burimeve të policisë ishte nisur që nga Belgjika drejt Serbisë, nga aty në Maqedoninë e Veriut dhe më pas nëpërmjet Portit të Durrësit do të kalonte për në Napoli.

Një burim nga policia tha për Tv Klan se autoritetet nuk kishin asnjë informacion paraprak nga partnerët ndërkombëtarë për kokainën e fshehur në këtë kamion, siç ka ndodhur në raste të tjera. Dyshimet u krijuan aty për aty nga efektivët e Task-Forcës që e kaluan për një kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje kamionin me targa të Maqedonisë së Veriut.

Dyshimet rezultuan të drejta dhe në serbatorin e mjetit u gjetën të fshehura dhjetëra pako të mbushura me kokainë. Pakot ishin të stampuara me logo të markave të njohura të parfumeve. Dyshohet se ngarkesa për çdo logo i përkiste një grupi kriminal që ishte në pritje të dërgesës me kokainë në Napoli, megjithatë hetimet sapo kanë nisur.

Drejtuesi i mjetit është një 40-vjeçar nga Struga me kombësi shqiptare, i quajtur Nazif Ajroski. Ai tha se nuk kishte dijeni për ngarkesën e drogës dhe se kamionin e kishte marrë në Maqedoninë e Veriut për të transportuar hekur. Të enjten në mëngjes kishte mbërritur në Durrës, ndërsa të premten në mbrëmje duhet të ishte në Itali.

Share: