Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Në tregun e Kosovës, gjatë këtij viti, është importuar sasi më e vogël e produkteve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021, por importet janë paguar më shtrenjtë.

Të dhënat e Doganave të Kosovës për periudhën nga janari deri më 20 maj, tregojnë se Kosova ka importuar 1.6 miliard kilogramë produkte të ndryshme, në vlerë financiare prej rreth dy miliardë eurosh. Gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar janë importuar 1.9 kg produkte, që kanë kushtuar mbi 1.5 miliard euro.

Thënë ndryshe, sasia e mallrave të importuara ka rënë për 11 për qind, ndërsa vlera financiare e tyre është rritur për 21 për qind.

Kosova importon deri në 90 për qind të produkteve që i nevojiten – duke filluar nga ato ushqimore deri tek ato ndërtimore.

Ministri i Financave dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, ka thënë në një mbledhje të Qeverisë, ditë më parë, se rritja e vlerës financiare të importeve – që nënkupton rritje të të hyrave në Doganat e shtetit – është rezultat i rritjes ekonomike në Kosovë dhe rënies së ekonomisë joformale.

Të hyrat në Doganat e Kosovës mbushin arkën e shtetit, njëjtë sikurse të hyrat në Administratën Tatimore të Kosovës. Edhe kjo e fundit, ka bërë të ditur se nga 01 janari deri më 20 maj 2021, ka grumbulluar rreth 229 mijë euro, kurse në periudhën e njëjtë të këtij viti, vlera ka arritur në mbi 303 mijë euro.

“Nuk ka vend për t’u krenuar”

Sipas ekspertëve të ekonomisë, hapësirë për mburrje nuk ka. Ata thonë se rritja e vlerës financiare të importeve nuk është rezultat i institucioneve që mbledhin mjete buxhetore, por i rritjes së çmimeve në botë.

“Unë mendoj se një pjesë e kësaj rritjeje jo doemos mund t’iu atribuohet vetëm rezultateve të Doganave, sepse këtu ka pasur ndikim rritja e çmimeve”, thotë Naim Huruglica, ish-drejtor i Doganave të Kosovës.

Çmimet e produkteve dhe shërbimeve në botë kanë nisur të rriten si pasojë e pandemisë së koronavirusit, që ka shpërthyer në mars të vitit 2020. Atyre u ka dhënë hov edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila ka nisur në shkurt, pasi të dyja këto vende janë eksportuese të mëdha të drithërave dhe metaleve.

Në Kosovë, inflacioni – apo rritja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve – ka qenë 11.2 për qind në muajin prill.

Profesori i ekonomisë dhe financave në Universitetin e Prishtinës, Ujkan Bajra, thotë se mbi 30 për qind e vlerës financiare të importeve është rezultat i inflacionit dhe jo i rritjes së konsumit apo zhvillimit ekonomik.

Këtë, sipas tij, e dëshmon edhe zvogëlimi i sasisë së produkteve të importuara, që nënkupton “rënie të fuqisë blerëse”.

“[Qeveria] nuk ka vend për t’u krenuar, por ka shumë vend për të punuar. Me veprime konkrete, jo me fjalë boshe, jo me lëmoshë, të sigurojë stabilitet financiar, ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët, sepse çmimet janë enorme”, thotë Bajra për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës, muajin e kaluar, ka ndarë 100 milionë euro si ndihmesë për kategori të ndryshme të shoqërisë: pensionistë, punëtorë të sektorit publik e privat, studentë e familje me asistencë sociale. Megjithatë, ekspertët e ekonomisë e kanë interpretuar këtë si ndihmesë afatshkurtër dhe jo zgjidhje afatgjate. Sipas tyre, pasojat e krizës ekonomike “nuk mund të zbuten me vendime të shpejta”.

Për më tepër, disa projeksione të Bankës Qendrore në Kosovë, të publikuara në mars, kanë treguar se ekonomia e Kosovës, si pasojë e luftës në Ukrainë, do të pësojë ngadalësim të aktivitetit këtë vit.

Sipas tyre, rritja ekonomike do të ngadalësohet në rreth 3.3 për qind, nga 10.5 për qind sa ka qenë në vitin 2021.

Inflacioni dhe importi në disa vende të Ballkanit

Inflacioni në Maqedoninë e Veriut ka arritur këtë vit në mbi 10 për qind. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave atje, vlera e mallit të importuar në periudhën janar – mars është rritur për 29 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Edhe në Shqipëri, inflacioni në muajin prill ka shkuar në 6.2 për qind, kurse vlera financiare e mallrave të importuara është rritur për rreth 27 për qind.

Megjithatë, REL nuk ka arritur të sigurojë ndonjë statistikë nga këto dy shtete për sasinë e produkteve të importuara – nëse është zvogëluar apo rritur.

Share: