Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e pandemisë. Ai tha se ekzekutivi kosovar duhet ketë një plan konkret të reagimit.

“Kosova po kalon nëpër një tragjedi. Nuk mund të quhet ndryshe, pos tragjedi, kur në shtatë ditët e fundit kanë vdekur 85 qytetarë në betejë me Covid-19, prej të cilëve 18 vetëm sot, ndërsa numri i rasteve aktive të të infektuarve ka arritur shifrën e frikshme prej rreth 25 mijë”, deklaroi Memli Krasniqi.

“Kjo gjendje alarmante, që vjen para së gjithash si pasojë e menaxhimit të dobët të pandemisë, duhet të adresohet urgjentisht. Qeveria duhet ta ketë një plan të qartë veprimi – me aplikimin e masave të duhura dhe efikase, me rritjen e kapaciteteve për vaksinim dhe shtimin e numrit të qendrave të vaksinimit, si dhe me investime të menjëhershme në spitale dhe me sigurim të medikamenteve që po mungojnë për pacientët”, tha ai.

Në fund, ai tha se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk duhet të aktroj para situatës së krijuar.

“Çdo ditë neglizhence e mëtejshme do të na kushtojë me më shumë jetë të qytetarëve që me kujdes e menaxhim efikas mund të shpëtohen. Qeveria nuk mund ta aktrojë edhe më tej normalitetin në këtë kohë jonormale”, shpreh ai.

Share: