Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Kosova po përballet me një krizë energjetike si pasojë e krizës në nivel global. Përkundër krizës globale energjetike, gabimet e qeverive të kaluara (mosndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese) si dhe indolenca dhe sjellja e papërgjegjshme e qeverisë aktuale përballë situatës, përkundër paralajmërimeve për krizën energjetike, e bëjnë këtë krizë edhe më të rëndë.
Si zgjidhje të krizës energjetike, ZRRE-ja ka propozuar rritjen e ndjeshme të çmimeve të energjisë elektrike, rritje që, edhe pas subvencionimit të premtuar qeveritar, godet më së rëndi një kategori të caktuar konsumatorësh familjarë, përkatësisht ata që shpenzojnë më shumë se 600 KW/h, të cilëve u kërkohet ta bartin gjithë barrën e importit të energjisë elektrike, të dhjetëfishuar si pasojë e krizës globale.
Kjo rritje e përnjëhershme e çmimeve të energjisë elektrike rrezikon që ta shndërrojë krizën energjetike edhe në një krizë socio-ekonomike. Andaj, ZRRE-ja do të duhej të reflektonte dhe t’i merrte parasysh vërejtjet e shumta të opinionit publik ndaj propozimeve të tyre, për ta shpërndarë në mënyrë më të drejtë barrën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës në vend se ta pranonte pjesën e vet të fajit dhe ta merrte përsipër të gjithë barrën e shtrenjtimit të energjisë elektrike (pra, një subvencion njëvjeçar prej 132.7 milionë eurosh) dhe kriza në vitin e parë të mos rëndonte mbi qytetarët, ajo ka zgjedhur që t’i injorojë kërkesat e qytetarëve, madje edhe duke i fyer ata me deklarata skandaloze, si: “rryma ka qenë e lirë”, ose: “qytetarët as që e kanë ditur se sa ka qenë fatura e energjisë”.
Dhe brenda këtij viti qeveria do të kishte kohë që t’i merrte një sërë masash, të cilat do ta bënin krizën më të përballueshme nga qytetarët, ose do ta eliminonin atë fare.
Qeveria duhet ta marrë guximshëm përgjegjësinë që ta zgjidhë edhe problemin me konsumatorët në veri, të cilët nuk e paguajnë energjinë elektrike, megjithëse furnizohen pandërprerë me energji të prodhuar apo të importuar nga operatorët e Kosovës. Jo pak probleme po i shkaktohen sistemit elektroenergjetik nga dërgimi i energjisë në veri në një regjion të tërë, ku nga shpenzimi i rrymës nuk paguhet asnjë cent…
Pastaj Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë që për 132.7 milionët e kërkuar për mbulim të shpenzimeve shtesë të rrymës elektrike (për shkak të shtrenjtimit të çmimit), ta përjashtojë veriun e Kosovës dhe kështu barra e kësaj pagese shtesë të shpërndahet mbi kurrizin e konsumatorëve të tjerë të Kosovës, sepse kjo përbën diskriminim mbi baza etnike, për çka ka edhe një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Qeveria e Kosovës duhet që në bashkëpunim me të gjithë aktorët e tjerë politikë, me ekspertët e fushës dhe me shoqërinë civile, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, të fillojë një diskutim serioz për politikat që do të shpinin në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike të Kosovës, duke përfshirë edhe kapacitetet me thëngjill e me gaz natyror për mbulimin e nevojave të vendit, duke pasur në konsideratë se situata të ngjashme të krizave do të mund të përsëriten herë pas here. Këto kapacitete duhet të ndërtohen në pajtim të plotë me normat e BE-së për mjedisin dhe, për aq sa është e mundur, pa rrezikuar sigurinë e furnizimit të kontribuojmë në uljen e emetimit të dioksidit të karbonit.
Në hartimin e këtyre politikave dhe planeve e projekteve investuese, qeveria e Kosovës do të duhej të punonte ngushtë me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, jo vetëm për shkak se jemi pjesë e një blloku energjetik, por edhe për shkak se dy sistemet tona energjetike me burime të ndryshme mund t’i plotësojnë shumë mirë njëri-tjetrin.

Lëvizja për Bashkim
Prishtinë, 30.1.2022

Shkruan LPB në facebook,transmenton mediumi informativ RTV Albania.

Share: