Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Filipçe: Vijnë javën e ardhshme

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, bisedojnë për hapjen e një punkti të vaksinimit afër kufirit, ku do ta merrnin dozën e dytë  15.000 shtetasit e RMV-së të cilët para tre muajve kanë marrë dozën e parë të “AstraZenekës” në Serbi. Paralajmërimet e këtilla vijnë pasi Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sipas njoftimeve të mediave serbe, ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë të mundësojë vaksinimin pa pagesë për shtetasit e RMV-së me vaksinën sipas zgjedhjes së tyre -“Pfizer”, “Sinofarm”, “AstraZeneka” ose “Sputnik V”.

“Me Ministrin Lonçar biseduam sot në mëngjes nëse mund të organizohet ndonjë punkt afër vendit tonë për t’i rivaksinuar qytetarët tanë në Serbi. Ka disponim dhe ditëve në vijim do të njoftojmë se për çfarë jemi dakorduar. Mendohet që kjo të bëhet në punktet e tyre në Vranje dhe Nish”

Në Maqedoninë e Veriut, për shkak të mungesës së vaksinave, është ulur numri i qytetarëve që marrin doza të vaksinës. Gjatë ditës së djeshme raportohet se janë vaksinuar me dozën e parë dhe të dytë vetëm 6.521 qytetarë. Ministri Filipçe sërish paralajmëroi  ardhjen e vaksinave “Sinovac”, duke mos dhënë detaje për vaksinat nga sistemi Kovaks dhe vaksinat ruse.

“Çdo të hënë vijnë vaksinat Pfizer, këto janë sasi që vijnë nga marrëveshja jonë dypalëshe si dhe nga sistemi për solidarizim nga vendet e BE-së. Ende nuk kemi datë të saktë për 100 mijë dozat e “Pfizer” që duhet të vijnë nga sistemi COVAX gjatë qershorit. Nuk kemi informacione për vaksinat ruse, ndërsa gjatë ditës së djeshme nga ana e Ambasadës Popullore të Kinës jemi informuar se brenda shtatë ditëve mund t`i presim 500 mijë dozat e vaksinës Sinovac”.

Autoritetet e Shëndetësisë vlerësojnë se duhet të mbetet në fuqi masa që objektet hotelerike të punojnë vetëm në hapësira të hapura dhe me orar të kufizuar. Ministri Filipçe tha se nuk parashihen lehtësime të tjera për objektet hotelerike.

“Ka protokolle për mbajtje të ngjarjeve të ndryshme. Kurse, ligjërata, mbledhje dhe gjëra të tilla. Në suaza të këtij organizimi, protokollet mund të respektohen, por nuk do të respektohen në dasma dhe ahengje ose në orët e vona të punës në objektet e gastronomisë në hapësirat e brendshme. Prandaj mbetet rekomandimi që këtë objekte të funksionojnë vetëm në ambiente të hapura”. 

Ministri Filipçe tha se situata me COVID-19 është stabile dhe nuk ka shenjë përkeqësimi. Sipas vlerësimit të epidemiologëve sezoni veror pritet të jetë i qetë, por Filipçe bëri sërish thirrje për kujdes posaçërisht për shkak të mundësisë së paraqitjeve të mutacioneve të virusit, që sipas tija janë të paparashikueshme dhe mund të jenë më infektues, nga viruset tjera që kanë qarkulluar në vend. 

Share: