Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Dekreti u shpall një ditë pas firmosjes, i hapet rrugë formimit të qeverisë

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar Edi Ramën si Kryeministër të ri të Shqipërisë. Dekreti i kreut të shtetit mban datën 10 Shtator, ditën kur u konstitua kuvendi i ri, por është shpallur 24 orë më pas.

“Pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sot më datë 10.09.2021, në fillim të Legjislaturës së X-të, pas thirrjes dhe zhvillimit të mbledhjes së parë të Kuvendit të porsazgjedhur, sipas propozimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, parti kjo që rezulton se ka shumicën e vendeve në Kuvend,

D e k r e t o j:

Zoti Edi Rama, emërohet Kryeministër i Republikës së Shqipërisë”.

Ky vendim i kreut të shtetit i hap rrugë tashmë formimit të qeverisë së re. Në bazë të parashimkimeve që bën Kushtetuta kryeministri Edi Rama pritet t’i paraqesë fillimisht Presidentit emrat e ministrave të rinj, i cili ka 7 ditë kohë për dekretimin e tyre.

Më pas, kryeministri Edi Rama së bashku me gjithë kabinetin qeveritar shkon për votim në Kuvend, ku paraqet edhe programin e qeverisë së tij të re.

Vetëm pas votimit nga Kuvend, e gjithë qeveria, përfshi kryeministrin dhe ministrat paraqiten te Presidenti i Republikës për të bërë betimin dhe për të nisur zyrtarisht detyrën.

Kjo pritet të jetë edhe përballja e parë e Ramës me Metën në Presidencë, pas një kohe të gjatë marrëdhëniesh të tensionuara mes tyre.

Vetë kryeministri Rama në një intervistë dhënë për emisionin “Opinion” ndonëse konfirmoi se ndarja me presidentin Meta është e pakthyeshme, konfirmoi se do të shkojë me kabinetin qeveritar të betohet në zyrën e Ilir Metës.

Ndërkohë që ky i fundit para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit kishte deklaruar disa herë publikisht se nuk do ta dekretonte Ramën si kryeministër në rast se zgjedhjet do të ishin të kontestuara.

Share: