Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Ish-Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Lumir Abdixhiku veproi mençur kur nuk kandidoi për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale që u mbajtën në fund të vitit të kaluar. 

LDK kandidoi me Përparim Ramën dhe fitoi kryeqytetin, ndërsa Abdixhiku si kryetar aktual i LDK-së ka mbajtur postin e deputetit në Kuvendin e Kosovës.

“Ndoshta ishte zgjedhje mirë e menduar nga Abdixhiku që të mos kandidojë vetë, pasi ka mjaft punë sa i përket partisë. Partia është fushë e pakufi e kërkesave e organizimit të punës që duhet të ndodhë aty brenda. Por ka pasur edhe tjerë. Por në momentin që është vendosur, ka vendosur LDK-ja për Ramën, tërësisht e kam pranuar atë”, ka thënë Mustafa në KTV.

E sa i përket akuzave që ka pasur në të kaluarën ndaj tij për bashkëpunim me PDK-në, ai i ka quajtur absurde.

“Akuza të tilla janë absurde. Pse s’bën të bashkëpunosh me PDK-në e bën me VV-në, AAK-në e subjekte tjera. Kush i ka ndërtuar këto kritere, mbi çfarë bazohen ato kritere. Kam bashkëpunuar me PDK-në edhe në Kuvend në Prishtinë, kemi bashkëqeverisë në mandat të parë. Kam thënë edhe publikisht se kam qenë maksimalisht i kënaqur me qeverisjen me ta. S’mundemi të etiketojmë PDK-në se është e keqe e VV-në se është e mirë. VV-ja ishte e mirë derisa nuk erdhi në pushtet. Tash kur VV-ja është në pushtet po e sulmojnë e kritikojnë”, tha Mustafa.

Share: