Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Faton Fetahu, përfaqësues ligjor i Partisë Demokratike të Kosovës për rastin lidhur me tarifat e energjisë, ka shprehur dyshime se Gjykata Supreme u ndikua nga pushteti për t’i rrëzuar vendimet e Themelores dhe Apelit për të pezulluar vendosjen e tarifave të reja të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Në muajin shkurt, ZRRE-ja pati vendosur një bllok-tarifë që kushdo që shpenzon mbi 800 kilovatë energji elektrike në muaj, të paguajë me çmim më të shtrenjtë. Vendimi ishte dërguar në Gjykatën Themelore nga PDK-ja. Kjo gjykatë kishte vendosur masën e sigurisë, atë të pezullimit, deri të shqyrtohet lënda e plotë. Në ankesën në Apel, edhe kjo gjykatë vendosi njëjtë. Ndërkaq Supremja, të enjten njoftoi se i ka rrëzuar dy vendimet e nivele të para dhe e hoqi masën e pezullimit. Pra faturat do të vijnë me tarifa të reja – më të shtrenjta.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Fetahu ka thënë se vendimi i Supremes “vetëm juridik nuk është”. Ai ka hedhur akuza se kjo gjykatë ka rënë nën ndikim të pushtetit.

“Fatkeqësi të shohim Gjykatën Supreme të nxirrte një vendim thuajse ishte shkruar dy javë më parë. do të duhej t’i kishte tri çështje kyçe. Padia është ushtruar më 16 mars dhe ligjshmëria e vendimit s’ka ndodhur, por krahas kësaj kemi bërë kërkesë për shtyrje dhe u miratua në dy nivele. Duhet të bazohet në tri kushte, e para që të vërtetohet që interesi i palës që përfaqëson (në këtë rast qytetarëve) të dëmtohet. Ne kemi dëshmuar se interesi i qytetarëve dëmtohet po që se rri tarifa e re në fuqi. Supremja s’e ka trajtuar kushtin e dytë e as të tretin. I dyti është që vendimi i ZRRE-së të mos jetë në kundërshtim me interesin publik dhe i treti që të mos i shkaktojë dëm të madh palës kundërshtare. E dini pse s’ka bërë trajtim të tillë Supremja? Sepse s’do të kishte përgjigje për kushtin e dytë. Sepse s’kishte argument tjetër, por se është pikërisht në mbrojtje të interesit publik e të tretit s’kishte sepse s’është në dëm të saj”, ka thënë ai.

Fetahu është ankuar se ka qenë e pritshme, sipas tij, që Supremja të rrëzojë dy vendimet e niveleve të para të gjyqësorit.

“Personalisht e kam pritur, fatkeqësisht. Jo në nivel të vlerësimeve të mia profesionale, por të tendencës së hapur që ishte së fundmi, veçmas pas vendimit të shkallës së dytë kur instrumente të caktuara të këtij pushteti reaguan dhe ndoshta shtrinë ndikimin e tyre në institucionet ndërkombëtare, siç ishte reagimi i Bankës Botërore që tha se e vë në vështirësi ZRRE-në. Erdhi puna që BB-ja ta ketë hallin e ZRRE-së. Fotografia ishte e qartë pak a shumë për ata që donin ta kuptonin, por më e papranueshme ishte se vetë ZRRE-ja ka bërë shkelje flagrante të vetë jurisprudencës së saj, të vetë praktikës së saj”, ka shtuar Fetahu.

Sipas tij, Supremja me vendimin e së enjtes ka dalë në kundërshtim me një standard të vënë më herët. Fetahu ka thënë se Supremja, për kërkesën e njëjtë të ZRRE-së, para katër vitesh kishte marrë vendim ndryshe në rastin kur përballë ishte Avokati i Popullit e jo PDK-ja.

“Vendimi i vitit 2017 për blloktarifat kur s’ishte palë PDK-ja, por Avokati i Popullit. Është tërësisht e ngjashme pos që s’është e njëjtë. Atë kohë kishte blloktarifë, dhe e dyta faturoheshin qytetarët me tre euro për humbjen në veri. Kur Avokati i Popullit bëri kërkesën si ne edhe në dy shkallët e para fitoi edhe në tretën Supremja refuzoi kërkesën e ZRRE-së. Kërkesa ishte e njëjtë, ndërsa tash e ka aprovuar. Standard i dyfishtë që po ndjek kjo gjykatë. Fatkeqësisht”, ka shtuar ai.

Fetahu ka thënë se “partia në pushtet ka lënë përtej çdo dyshimi që shpresën e vetme e ka në Supreme”.

“Ka dëgjuar ndonjë njeri që shan ky pushtet e shan më Këshillin Gjyqësor… përplasjet e improvizuara i njoh fare mirë”, ka thënë ai.

PDK-ja ka paralajmëruar dërgimin e lëndës në Gjykatën Kushtetuese. Fetahu është shprehur i bindur që kjo gjykatë do të nxjerrë në pah “shkeljet flagrante të parimeve kushtetuese në vendimin e Supremes”.

Share: