Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Profesori i lëndës së gjeografisë në gjimnazin “Ismail Qemali” në Kamenicë, Bashkim Latifaj, po kërkon kthimin e orëve mësimore dhe kompensimin e dëmit material dhe jo material prej 8,500 euro.

Me pretendimin se këto orë mësimore i takojnë atij për t’i ligjëruar dhe ky kompensim, ai në nëntor të vitit 2019 ka paditur Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit në këtë komunë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me padinë e tij, të mërkurën është mbajtur seanca kryesore për këtë rast dhe janë dëgjuar dy dëshmitarë, Selami Rexhepi dhe Agim Shkodra.

Në fillim të seancës, përfaqësuesi i paditësit, avokati Granit Mavriqi deklaroi se mbeten në tërësi pranë deklarimeve nga seanca e kaluar dhe i propozoi gjykatës që të vazhdohet me administrimin e provave.

Edhe përfaqësuesi i të paditurës, avokati Engjëll Rexhepi deklaroi se mbeten pranë deklarimeve nga seanca e kaluar, duke shtuar se për palën e paditur edhe më tutje është e paqartë kërkesëpadia e paditësit si dhe e njëjta është e paprecizuar.Tutje, ky shqyrtim gjyqësor ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarëve.Dëshmitari i parë, Selami Rexhepi, ish-drejtor i gjimnazit “Ismail Qemali” në Kamenicë, ka thënë se sa i përket paditësit si punëtor i arsimit, ai nuk ka pasur asnjë vërejtje ndaj tij.

“Kam qenë drejtor i shkollës “Ismail Qemali” gjatë periudhës 2016-2020. Në shkollën tonë ka ekzistuar një rregullore e brendshme e shkollës për mësimdhënës dhe nxënës, ndaj të cilës duhej t’i përmbaheshin rregullave të sjelljes në shkollë”, deklaroi Rexhepi.Në kuadër të kësaj rregullore, dëshmitari ka thënë se nxënësit (gjinia mashkullore) nuk duhet të vijonin mësimin nëse ata kishin flokë të gjata.“Në fillim të vitit 2019 dhe 2020, profesori Bashkim Latifaj i ka pasur 20 orë mësimi.

Gjatë kësaj periudhe me dije time nuk e di që profesorit ju kanë marrë orë të mësimit”, shtoi tutje dëshmitari.

Ai ka thënë se profesori i gjeografisë Tasim Rexha nuk ka qenë i ranguar para profesorit Bashkim Latifaj për marrjen e orëve të mësimit, por që sipas tij, Tasim Rexha ka marrë orë vetëm nëse kanë mbetur orë nga profesorët e tjerë.“Nuk ka pasur ndonjë nxënës i shkollës që është ankuar ndaj Bashkim Latifaj dhe po ashtu asnjë prind i nxënësve”, ka thënë dëshmitari RexhepiTutje, Rexhepi ka thënë se e njeh nxënësin B.S., dhe mendon se flokët i ka pasur të gjata, por që kompetent për t’a konstatuar se një nxënës e ka shkelur rregulloren duke i rritur folët më tepër se që duhet është kujdestari i klasës, por edhe mësimdhënësi.

“Kujdestari i nxënësit B.S., ka biseduar me mua si drejtor i shkollës për çështjen se ai i ka flokët pak të gjata duke treguar se ka bisedu me të por që i njëjti nuk po dëgjon. Unë nuk kam mundur ta detyroj atë, sepse drejtoresha e Arsimit në Kamenicë më ka thënë që ajo rregullore nuk është e vlefshme dhe se sipas saj nxënësi ka të drejt të vij me flokë të tilla”, ka deklaruar dëshmitari.

“Norma ndikon në pagë dhe është e rëndësishme, ndërsa unë nuk jam kompetent për ta vlerësuar se a është në rregull që një profesori nëse i merren disa orë dhe i mbetet paga e njëjtë”, shtoi tutje Rexhepi.Dëshmitari i dytë në këtë rast Agim Shkodra, zëvendës-drejtor aktual i Gjimnazit “Ismail Qemali” në Kamenicë, ka thënë se ai ka qenë zëvendës-drejtor gjatë kohës sa drejtor ka qenë Selami Rexhepi dhe atë në periudhën kohore 21 shtator 2017 deri më tani.Sipas tij, profesori Bashkim Latifaj gjatë kohës sa ai ishte zëvendës-drejtor gjatë viteve 2017-2018, i ka pasur 20 orë mësimi dhe përpilues i orarit të mësimit ka qenë ai vet.Sipas tij, nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga profesorët tjerë për lëndën e gjeografisë.

“Si zëvendës drejtor nuk kemi asnjë vërejtje ndaj profesorit Bashkim Latifaj për punën e tij si mësimdhënës për ato 20 orë mësimi, por sidomos për tetë orë të mësimit zgjedhor kanë qenë orë shumë të mira, të përgatitura pedagogjikisht, ku ka dorëzu edhe plan të punës për vitin e ardhshëm kalendarik, ku edhe ka bërë kërkesë për vitin 2020-2021 të vazhdoj të mbaj prapë mësim zgjedhor në Gjimnazin “Ismail Qemali” në Kamenicë.”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, në vitin 2019-2020 është formuar një Komision Komunal nga DKA për sistemimin e vendit të punës dhe ai komision e ka renditur të parin profesorin Tasim Rexha, të dytin Abdullah Hashanin dhe të tretin Bashkim Latifaj, e se ata si përgjegjës të shkollës në fjalë e kanë zbatuar këtë.“Bashkim Latifaj ka mbetur me dy orë të rregullta të gjeografisë dhe ne si drejtori e shkollës kemi bërë kërkesë që atij t’i plotësohet norma e plotë me 20 orë mësimi me mësim zgjedhor. Kërkesa ka qenë edhe nga viti i kaluar nga profesori Latifaj, por që DKA është përgjegjëse të ndarjes që këtij mësimi zgjedhor”, ka thënë Shkodra.

Tutje, ai ka thënë se profesorit Bashkim Latifaj iu ka bërë e padrejtë me marrjen e orëve të mësimit dhe i kanë mbetur vetëm dy sosh, edhe pse i njëjti vazhdon ta merr pagën e plotë sikurse të punoj 20 orë.“Në shkollën e gjimnazit ekziston rregullorja e shkollës që përcaktohet se si të sillen profesorët dhe nxënësit dhe cilat rregulla kanë obligim t’i respektojnë, e cila është e lëshuar nga Drejtoria e Shkollës e të cilën e ka nënshkruar kryetari i Këshillit Drejtues të Shkollës, i cili vjen nga Këshilli i Prindërve dhe këtë e aprovon DKA në Kamenicë”, shtoi tutje dëshmitari.

Sipas tij, gjatë viteve 2018-2019 paditësi nuk ka pasur kundërshtime për ndarjen e orëve pasi i ka pasur 20 orë të plota, ndërsa nëse atyre iu vie një shkresë nga DKA që mos të zbatohet një rregullore, ata nuk e zbatojnë atë rregullore.“Orët e mësimit i zvogëlohen profesorëve në rastin kur humbin klasët, respektivisht kur zvogëlohen nxënësit”, deklaroi Shkodra.Seancën tjetër për këtë rast, gjykatësi Artan Abazi e ka caktuar të mbahet më 13 korrik 2021, në ora 9:30.

Bashkim Latifaj, më 4 nëntor 2019, ka paditur Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit në këtë komunë, me arsyetimin se ai ka themeluar marrëdhënie pune me 20 tetor 1993 në gjimnazin “Ismail Qemali” në Kamenicë dhe asnjëherë të vetme nuk e ka ndërprerë këtë marrëdhënie pune në këtë shkollë.Sipas padisë, në fillim të vitit të ri shkollor 2019/2020, stafi i gjimnazit “Ismail Qemali” ka bërë ndarjen e orëve mësimore të lëndëve në përgjithësi dhe më 27 gusht 2019 edhe të lëndës së gjeografisë, e që këto orë mësimore i janë ndarë paditësit. Por pas kësaj thuhet se ka ndërhyrë DKA në Kamenicë dhe këto orë iu kanë ndarë mësimdhënësit tjetër të gjeografisë, Tasim Rexha, i cili nuk ka qenë pjesë e stafit të kësaj shkolle por vetëm me plotësim norme, e i cili në të kaluarën asnjëherë nuk ka qenë i ranguar si i pari në listën e gjeografëve.Tutje, në padi thuhet se kjo ndarje e orëve mësimore për Tasim Rexhën është bërë me arsyetimin se ai ka përvojë pune më shumë se paditësi, e që një gjë e tillë nuk qëndron pasi ai ka një përvojë pune 12 vjeçare ndërsa paditësi 26 sosh.

Me padi, paditësi pretendon se dëmtimi ekonomik, fizik dhe psiqik që i është bërë atij në këtë rast është vetëm se ai nuk është person servil i pushtetit komunal dhe se paditësi është sekretar i Këshillit Komunal të Prindërve në Kamenicë, i cili këshill ka ngritur zërin kundër reformës në arsim në Kamenicë.Në padi thuhet se paditësi ka tentuar të evitoj këtë padrejtësi që po i bëhet atij dhe më 6 shtator 2019 ka deponuar një ankesë në DKA në Kamenicë. Por, nga dita e dorëzimit të saj e deri më 6 tetor 2019, në afatin prej 30 ditësh, ai nuk ka marrë ndonjë përgjigje lidhur me të. Po ashtu, ai ka bërë edhe një kërkesë urgjente lidhur me këtë çështje më 9 tetor 2019, por që gjithashtu nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Me kërkesëpadi, paditësi Bashkim Latifaj po kërkon nga gjykata që të aprovohet kërkesëpadia e tij dhe të detyrohet Komuna e Kamenicës, Drejtoria Komunale e Arsimit, që atij t’i kthehen orët mësimore të lëndës së gjeografisë, edhe tetë sosh, që gjithnjë i ka ligjëruar ai në gjimnazin “Ismail Qemali” në Kamenicë, si dhe DKA të ndalë presionet dhe ndërhyrjet që kanë prapavijë politike dhe hakmarrëse.Gjithashtu, paditësi po kërkon nga e paditura që atij t’ia kompensojë shumën prej 8,500 euro në emër të dëmit material dhe jo material, si dhe pagesën e shpenzimeve procedurale.

Share: