Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti e mbështet propozimin që të shkurtohet fushata e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, që sot doli me ftesë publike drejtuar Albin Kurtit në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetarit të PDK’së Memli Krasniqi dhe atij të AAK’së Ramush Haradinaj që të bëhen bashkë dhe të ndërtojnë një pakt zgjedhor që fushata zgjedhore të zgjasë vetëm 10 ditë dhe jo 30, si e parasheh ligji.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se sikurse në Qeverinë Kurti 1 ata janë të hapur për bashkëpunim.

Madje, ai e ka ripërsëritur edhe një herë deklaratën e ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia i cili tha se bashkëpunimi nënkupton edhe mospengimin e përpjekjeve të qeverisë për menaxhimin e pandemisë.

 “Ne mbështesim propozimin që fushata zgjedhore të jetë sa më e shkurtër, varësisht nga rekomandimet e IKShPK’së. Beteja me pandeminë është betejë e përbashkët sepse të gjithë përballemi me të njëjtin rrezik, pa dallim. Prandaj, sikurse në Qeverinë Kurti 1, ne jemi të hapur për bashkëpunim. Por, siç ka deklaruar dje ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bashkëpunim është edhe atëherë kur nuk pengohen përpjekjet e qeverisë për menaxhimin e pandemisë, edhe atëherë kur nuk përhapen dezinformata për vaksina dhe afatin e tyre, e edhe kur respektohen masat e qeverisë. Andaj, le të fillojmë nga kjo formë e bashkëpunimit”, ka thënë Kryeziu për Klankosova.tv.

Në kërkesën e tij, Abdixhiku ka shkruar se ritmi i vdekjeve do të vazhdojë edhe një kohë prandaj i njëjti duhet të ndalet.

“Përtej përgjegjësive shtetërore që Qeveria i ka, përgjegjësi që duhet t’i ushtrojë me plot kompetencë, përgjegjësi për të cilat do të mbahet për llogari gjithsesi, sot po ju drejtohem secilit nga ju, si kryetarë partish, që të kapërcejmë mbi veten, t’i kapërcejmë dallimet e të ndërtojmë një pakt zgjedhor. Më saktësisht, në këtë pakt, propozoj që e vullnet të plotë politik, përkundër rregullativës ligjore në vend, të shkurtojmë fushatën zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë. Ta bartim përballjen politike nga terreni ku grumbullojmë zakonisht me qindra e mijëra njerëz përnjëherë, në debate tjera, televizive, përballje digjitale e sociale”.

Ai ka kërkuar nga krerët partiakë në vend që të udhëzojnë të gjithë kandidatët e tyre që çdo aktivitet paraelektoral dhe elektoral nga sot e deri më 17 tetor ta bëjnë konform rregullave strikte të përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Edhe PDK’ja është pro këtij propozimi. Por, kryetari i këtij subjekti, Memli Krasniqi, ka theksuar se mendon se duhet të shkurtohet vetëm kohëzgjatja e fushatës konvencionale – tubimet dhe takimet me prezencë fizike – derisa thotë se shëndeti i qytetarëve të Kosovës është prioritet themelor.

“Në vijim të letrës suaj, Partia Demokratike e Kosovës ndan mendimin se, ndonëse është jashtëzakonisht vitale për demokracinë tonë që të sigurojmë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në kohën e përcaktuar, si dhe nën masa që garantojnë transparencë të plotë dhe mundësi për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në procesin e votimit, kjo duhet të bëhet në mënyrë të sigurt dhe duke garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Andaj, ne mendojmë se kohëzgjatja e fushatës konvencionale, që nënkupton takimet dhe tubimet që kërkojnë prezencën fizike të kandidatëve dhe qytetarëve, duhet të shkurtohet”, ka shkruar Krasniqi në letrën që ia ka kthyer Abdixhikut.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përpos që e mbështeti propozimin që fushata zgjedhore të shkurtohet tha se e njëjta duhet të zgjasë vetëm pesë ditë.

“Kam pranuar një letër nga kryetari i LDK’së z. Abdixhiku ku ai kërkon shkurtimin e fushatës zgjedhore nga 30 në 10 ditë. Qëndrimi i AAK-së, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë me pandeminë, është që fushata të shkurtohet në vetëm 5 ditë e jo në 10”.

Share: