Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

“Kosova po humb mbështetjen e ndërkombëtareve”

“Koha nuk ndalet dhe paqja nuk fitohet me mjetet e luftës”. Kështu shprehet kryeministri Edi Rama në një koment të gjatë në rrjetet sociale ku u kthen përgjigje komenteve dhe akuzave se ka tradhtuar çështjen e Kosovës. Rama ngre pyetjen se a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare duke “i treguar babait arat” kur flet me SHBA dhe BE?

“E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar ia futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike”.

Si pyetje retorike Rama ngre edhe shqetësimin se a mund ta fitojë Kosova paqen duke e kthyer dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë, por përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve tanë të pazëvendësueshëm strategjikë.

“A mundet të zgjidhet çështja e madhe e njohjes së Kosovës nga Serbia, duke e thelluar më tutje deformimin e madh disavjeçar tashmë në Kosovë, të bërjes së politikës së brendshme të Prishtinës politikë të jashtme të Kosovës dhe anasjelltas, si edhe duke e futur në shabllonin idiotesk të tradhtisë dhe vetë politikën e re rajonale të Tiranës zyrtare?”

Kreu i qeverisë shqiptare u kujton atyre që e akuzojnë sot si tradhtar, kërkesën publike të bërë në Beograd për njohjen e Kosovës.

“Sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht”.

Në fund Rama ndalet edhe te nisma e Ballkanit të hapur që kundërshtohet nga Prishtina duke nënvizuar se ajo do të çojë edhe në njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot, ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën ‘Open Balkan’”.

Rama e mbyll me vendosmërinë për të vijuar të luftën diplomatike për paqe e prosperitet ekonomik e social në Ballkanin e Hapur, përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia.

Share: