“Galaktikët” nuk kanë marrë asnjë ofertë për uellsianin dhe e llogarisin si pjesë të ekipit
Kapiteni i Uellsit Gareth Bale do të qëndrojë te Real Madridi në vitin e fundit të kontratës së tij.
“Galaktikët” do ta mbajnë sulmuesin sepse nuk ka asnjë klub që ka shfaqur interesim për shërbimet e tij.
Lojtari 32-vjeçar luajti sezonin e shkuar te Totenhemi në Premier League.
Tani trajneri i ri Carlo Ancelotti duhet ta llogarisë edhe atë në skuadër, pasi Reali e ka të pamundur ta shesë.
Bale ka qenë pjesë e ekipit në vitin 2014, kur nën drejtimin e Ancelotti-t fituan Ligën e Kampioneve dhe italiani ka lënë të kuptohet se do ta përdorë sërish atë.
Por tifozët e Realit nuk e shikojnë me sy të mirë futbollistin, i cili përfiton 750 mijë euro në javë.
Bale është lojtari me pagën më të lartë te “Galaktikët”, por problemet e fundit financiare që klubi madrilen po kalon, kanë inatosur tifozët, që mendojnë se 32-vjeçari duhet të pranojë ulje rroge.
Reali është i interesuar për shërbimet e sulmuesit Kilian Mbappe, por si fillim duhet të ulë shpenzimet për rrogat, e pastaj të mendojë për transferimin e francezit.