Informacionet e Kontaktit

Prishtinë, Kosovë

Jemi aktiv 24/7

Zyrtarët policorë në veri të vendit janë sulmuar katër herë radhazi nga grupe të organizuara.

Kjo është bërë e ditur sot nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili këto sulme i quajti terroriste.

Kurse drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, deklaroi se tashmë janë duke u bërë të gjitha hetimet e nevojshme lidhur me këto raste, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Por rruga që çon për në Bërnjak, tashmë është bllokuar për qarkullim.

E gjithë kjo pasi që, zyrtarët policorë bashkë me Prokurorinë e Shtetit kanë dalë për të bërë shikimin e vendit të ngjarjes, në pikat ku u tha se për tri ditë radhazi pati sulme ndaj policëve të Kosovës.

Për shkak të bllokimit të kësaj rruge, Policia e Kosovës ka rekomanduar që të përdoren rrugët dytësore.

E nga Prokuroria Speciale e Kosovës nuk kanë dhënë ende detaje për rastin, teksa vetëm kanë konfirmuar se janë në vendin e ngjarjes.

Por sipas prokurorisë është ende herët për të dhënë detaje shtesë lidhur me këto raste.

Ndryshe në sulmet drejtuar zyrtarëve policorë janë përdorur: Gurë, iriqë mekanikë, granata ushtarake si dhe armë zjarri të llojit AK-47.

Madje nga Ministria e Brendshme janë publikuar edhe fotografitë nga dëshmitë e marra nga këto raste.

E për fat të mirë, zyrtarët policorë në sulmin e fundit që ndodhi sot në mëngjes shpëtuan falë xhamit të blinduar në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës.

Share: